Koncesionet rrugore, 5.5 milionë euro në vit vetëm për mbikëqyrjen e kontratave
Qeveria parashikon të shpenzojë rreth 514 milionë lekë, ose 5.5 milionë euro, gjatë vitit 2027 për shërbime inxhinierike të pavarura dhe mbikëqyrjen e kontratave koncesionare.
Ndërkohë, fondet e parashikuara për emergjencat, dëmtimet dhe rrëshqitjet në rrjetin rrugor kombëtar janë rreth 40 milionë lekë.
Në Ministrinë e Financave ka nisur puna për përgatitjen e parashikimeve buxhetore afatmesme 2027–2029. Të dhënat e zërave të investimeve që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i ka dorëzuar Ministrisë së Financave tregojnë diferenca të konsiderueshme mes fondeve të planifikuara për mbikëqyrjen e kontratave koncesionare dhe atyre për ndërhyrjet emergjente në rrugë.
Për vitin 2027 janë planifikuar rreth 514 milionë lekë, ose afërsisht 5.5 milionë euro, për shërbime inxhinierike të pavarura ndaj kontratave koncesionare. Këto shërbime lidhen me monitorimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të kontratave ndërmjet shtetit dhe operatorëve privatë.
Vetëm për kontratën PPP të segmentit 18 kilometra Thumanë–Kashar, qeveria parashikon të paguajë 85 milionë lekë në vit për shërbime inxhinierike, ose rreth 900 mijë euro. Kjo pagesë kryhet çdo vit gjatë periudhës së koncesionit dhe shërben për monitorimin e mënyrës së zbatimit të kontratës.
Një peshë të konsiderueshme në fondet e vitit 2027 e zënë edhe paketat e mëdha rrugore. Për segmentet Kashar–Pëzë–Lekaj, Lekaj–Konjat–Fier dhe Milot–Thumanë janë parashikuar gjithsej 223 milionë lekë, ose rreth 2.3 milionë euro, vetëm për shërbime inxhinierike të pavarura.
Ndërkohë, për fazat e operimit dhe mirëmbajtjes së kontratave koncesionare ekzistuese, përfshirë Rrugën e Arbërit, autostradën Milot–Morinë dhe aksin Porti i Jahteve–Bypass Orikum–Dukat, parashikohen nga 60 milionë lekë për secilën. Në këtë përllogaritje nuk përfshihen kontratat e tjera portuale dhe hekurudhore.
Në kontrast me fondet për mbikëqyrjen e koncesioneve, buxheti i parashikuar për përballimin e situatave të paparashikuara në rrjetin rrugor kombëtar mbetet ndjeshëm më i ulët. Sipas dokumenteve buxhetore, për emergjencat që mund të shfaqen gjatë vitit 2027 në rrjetin e administruar nga ARRSH janë parashikuar vetëm rreth 40 milionë lekë.
Krahasimi tregon se për çdo 4 lekë të parashikuar për përballimin e emergjencave, dëmtimeve apo rrëshqitjeve të paparashikuara në akset kombëtare, më shumë se 50 lekë shkojnë për shërbimet e mbikëqyrjes dhe supervizionit të projekteve të mëdha koncesionare.
Ekspertët e sektorit ngrenë pikëpyetje mbi këtë raport të financimit, duke vlerësuar se një fond prej rreth 40 milionë lekësh për emergjencat rrugore mund të rezultojë i pamjaftueshëm për ndërhyrje të mëdha rehabilituese në rast të bllokimit të akseve nga moti i keq, rrëshqitjet apo dëmtime të tjera të papritura të trupit të rrugës.